PD feston 20-vjetorin e krijimit, merr pjesë Presidenti Topi
20-vjetori i Partisë Demokratike mblodhi dje në hollin e Pallatit të Kongreseve, me qindra simpatizantë të partisë së parë pluraliste në vend, duke nisur nga lidershipi aktual, te themeluesit, artistët dhe qytetarët. Në këtë ceremoni nuk mungoi dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili pak vite më parë ka qenë edhe nënkryetari i PD-së, duke dhënë mesazhin se marrëdhëniet mes mazhorancës dhe Presidencës tashmë mund të konsiderohen shumë të mira. Në një skenë të improvizuar në qendër të hollit, organizatorët e PD-së kishin shpalosur një dekor të karakterizuar nga bluja, duke integruar logon e partisë me numrin 20. Pas një dokumentari të shkurtër që u shfaq në sallë ku flitej për krijimin e PD-së, fjalën e mori Kryeministri, kryetari i partisë, Sali Berisha. Në një fjalë ku spikatën edhe tonet e larta, Berisha theksoi se tashmë janë realizuar ëndrrat e shqiptarëve për të pasur Shqipërinë si gjithë Europa. “Në datën 8 dhjetor në darkë, studentët e universiteteve në Tiranë, të udhëhequr nga Azem Hajdari do të mbushnin rrugët e kryeqytetit në një betejë që detyroi klikën në pushtet të firmoste kapitullimin e saj dhe të pranonte pluralizmin me Partinë e parë, atë Demokratike”, kujtoi Berisha 20 vite më pas. Sipas Kryeministrit, sot Shqipëria është vendi i lirive, duke përmendur si ngjarje historike të këtyre kohërave pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Në sallën e mbushur përplot binte në sy, pjesëmarrja e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Eduard Selami, por po kështu ra në sy mungesa e një shtrëngimi duarsh mes tij dhe Berishës dhe largësia në dukje mes Selamit dhe lidershipit aktual të PD-së. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Selami theksoi se ai ndihej në këtë festë si në shtëpinë e tij, por nuk kishte mundur të fiksonte asnjë takim me Berishën. Një takim i mundshëm mes tij dhe kreut aktual të PD-së nuk u realizua nisur nga fakti se në orët e para të ditës së sotme, ish-kryetari i demokratëve u nis drejt Amerikës, vend ku jeton prej vitesh. Nga ana tjetër në sallë nuk munguan as demokratët, të cilët nuk janë më pjesë aktive e PD-së, si ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj, Omer Stringa etj. Ajo që ra në sy në festën e djeshme lidhet me faktin se në të nuk ishte prezent asnjë nga përfaqësuesit e opozitës, ndonëse PD ishte kujdesur të çonte festat përkatëse në selinë rozë. I vetmi përfaqësues nga opozita në sallë ishte Ylli Manjani, por ai prej kohësh është një nga kritikët më të mëdhenj të lidershipit aktual të PS-së. Por në ceremoninë e djeshme, pjesëmarrës ishte zëvendëskryeministri, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe përfaqësues të tjerë të LSI-së. Në ceremoni merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e partive në aleancë me PD-së, si përfaqësuesit e partive çame, princi Leka etj. Por në festën e 20-vjetorit të krijimit të PD-së, morën pjesë edhe artistë. Në sallë u spikat prania e këngëtares Çiljeta Xhilaga, kantautorit Redon Makashi, por edhe e showman-it Ardit Gjebrea.